Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, pas një takimi që ka pasur me liderët e “Republika Srpskas”, ka folur edhe për marrëveshjen në mes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas pretendimeve të kreut të shtetit serb, situata e sigurisë “është me komplekse” për shkak të kësaj marrëveshje, duke justifikuar kështu synimet e shtetit të tij për të blerë edhe më shumë armatim, shkruan Gazeta Express.
Lidhur me këto deklarime të Vuçiq, në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga NATO. Një zëdhënës i Aleancës Ushtarake Veri-Atlantike ka thënë se i bëjnë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic, që Serbia të angazhohet me NATO-n dhe shtetet fqinje në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive.
“Për të ecur përpara, partneriteti NATO-Serbi duhet të jetë një “rrugë me dy drejtime”, bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë, si dhe në një angazhim të sinqertë për stabilitetin rajonal. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë të angazhohet me NATO-n dhe fqinjët e saj në një mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive.”, ka thënë një zëdhënës i NATO-s për Gazetën Express.
Në përgjigje, NATO ka përmendur bashkëpunimin që ka me Serbinë, përfshirë edhe faktin se shteti serb është pjesë e Partneritetit për Paqe që nga viti 2006.
“Gjatë 20 viteve të fundit, NATO dhe Serbia kanë zhvilluar bashkëpunim të gjerë, të mbështetur nga prania e NATO-s përmes një Zyre Ndërlidhëse Ushtarake në Beograd. Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë më tej marrëdhëniet tona me Serbinë, në respekt të plotë të politikës së saj të neutralitetit ushtarak. Ne po ndërmarrim hapa konkretë, duke përfshirë pjesëmarrjen me Serbinë në një stërvitje të rëndësishme NATO-Serbi, e cila do të mbahet muajin e ardhshëm”, ka thënë ky zëdhënës.
Sa i përket marrëveshjes trepalëshe Zagreb-Tiranë-Prishtinë, NATO ka thënë se janë në dijeni të saj, megjithatë theksojnë se s’janë palë dhe s’kanë pasur rol në procesin e konsultimit. Gjithashtu ky zëdhënës thekson se fakti që Shqipëria e Kroacia janë pjesë të NATO-s, kjo nuk i pengon që të lidhin marrëveshje të tjera shtesë.
“Nisma e përmendur është një marrëveshje trepalëshe midis Shqipërisë, Kroacisë dhe institucioneve në Kosovë. Ne e kemi marrë parasysh atë, por NATO si organizatë nuk është palë në të dhe nuk ka pasur një rol në procesin e konsultimit. Anëtarësimi në NATO nuk i pengon Aleatët të lidhin marrëveshje shtesë bashkëpunimi. Dhe ne mirëpresim angazhimet e vazhdueshme të Shqipërisë dhe Kroacisë në mbështetje të KFOR-it”, ka shtuar tutje ky zëdhënës.
Lidhur me deklarimet e presidentit serb, Aleksander Vucic, dje ka folur edhe ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq, pas një takimi që ka pasur me homologun e tij shqiptar, Ermal Nufi.
Anushiq ka thënë se ka kaluar koha kur dikush i ka diktuar një shteti si Kroacia se si duhet t’i zhvillojë politikat e saj.