December 3, 2025
1 min read

Anulohet ndeshja Iliria-Skënderbeu, këta të fundit ankohen se u rrahën në stadium

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur këtë të mërkurë në Fushë-Krujë në prag të ndeshjes së javës së 14 të Kategorisë së Parë mes Ilirisë dhe Skënderbeut. Siç raportojnë mediat në Shqipëri, janë sulmuar futbollistë dhe trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka.

Për pasojë, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se ndeshja e javës së 14-të, Iliria–Skënderbeu, e programuar për t’u luajtur sot në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, nuk është zhvilluar për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me kushtet e sigurisë.

“Sipas informacioneve paraprake, në momentin e mbërritjes së ekipit të Skënderbeut në stadium, mësohet se ka pasur një incident mes lojtarëve dhe stafit të klubit Iliria, ku dyshohet se janë përfshirë edhe në konfrontime fizike”.

“Për shkak të këtyre rrethanave dhe problematikave të ngritura për sigurinë, është vendosur që ndeshja të mos luhet. Çështja do të shqyrtohet nga komisionet juridike të FSHF-së, të cilat do të marrin vendimin përfundimtar lidhur me këtë ndeshje”, bën me dije FShF përmes një njoftimi për mediat.

Klubi i Futbollit Skënderbeu reagoi nëpërmjet një postimi në Facebook duke shprehur shqetësimin se lojtarët e klubit dhe trajneri Gjoka janë dhunuar nga Klubi i Futbollit Iliria.

“Dhunohen futbollistët e KF Skënderbeu dhe trajneri Gjoka nga stafi dhe futbollistët e KF Iliria përpara sesa të futen në dhomat e zhveshjes. Ky nuk është futboll. Në këto kushte nuk mund të luhet futboll. Në Korçë mikpritja është kult, ndaj të njëjtën gjë presim dhe ne nga ekipet kundërshtare”, shkroi klubi Skënderbeu.

Megjithatë, Iliria ka mohuar diçka të tillë me deklaratë zyrtare. Ndërkohë që nga dhoma e zhveshjes së Skënderbeut në stadiumin “Redi Maloku”, janë publikuar foto të dy prej lojtarëve që pretendohet se u dhunuan.

Bëhet fjalë për Saleh Nasr dhe Salim Abubakar. Tashmë mbetet në dorën e Federatës Shqiptare të Futbollit për të marrë vendimin përfundimtar pasi anuloi ndeshjen.

Skënderbeu mban vendin e parë në renditje. Iliria ndërkohë synon që të jetë pjesë e dyshes që siguron ngjitjen direkt në Superiore, pasi aktualisht ndodhet në zonën “play off”. 

Latest from Blog

Go toTop