October 22, 2026
1 min read

Apeli ndryshon orarin e seancës për vrasjen e Liridona Ademajt, ja kur do të mbahet

Gjykata e Apelit ka ndryshuar orarin e seancës gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, e cila do të mbahet më 29 tetor 2026, por jo në orën 09:50 siç ishte planifikuar fillimisht.

Sipas njoftimit të gjykatës, seanca është shtyrë për në orën 11:10, ndërsa data mbetet e pandryshuar.

Ndryshimi është bërë me kërkesë të mbrojtjes së të dënuarit Naim Murseli, pasi përfaqësuesi i tij ligjor është i angazhuar në të njëjtën kohë edhe në një çështje tjetër në Gjykatën Supreme.

Murseli kërkon prishjen e aktgjykimit ose dënim më të butë

Në seancën e ardhshme, Kolegji i Apelit do të shqyrtojë ankesën e Naim Murselit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

Ankesa prej 30 faqesh, e paraqitur nga dy avokatët e Murselit, kërkon prishjen e aktgjykimit të shkallës së parë ose shqiptimin e një dënimi më të butë.

Mbrojtja pretendon se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive. Po ashtu, ajo ka ngritur pretendime lidhur me mënyrën e marrjes në pyetje të Murselit nga policia.

Avokatët kanë kundërshtuar edhe mosmiratimin e disa kërkesave të mbrojtjes, përfshirë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të të dënuarit.

Kërkohet burgim i përjetshëm edhe për Kushtrim Kokallën

Ankesë në Gjykatën e Apelit ka paraqitur edhe Leotrim Syla, avokati i familjes së të ndjerës Liridona Ademaj.

Në ankesën e tij kërkohet që, përveç Naim Murselit dhe Granit Plavës, me burgim të përjetshëm të dënohet edhe Kushtrim Kokalla.

Tashmë pritet që Kolegji i Apelit t’i shqyrtojë pretendimet e palëve dhe të vendosë lidhur me ankesat e paraqitura në këtë rast.

Latest from Blog

Go toTop