Autoritetet në Sri Lanka kanë arrestuar ish-shefin e inteligjencës shtetërore, të dyshuar për përfshirje në sulmet vetëvrasëse të Pashkëve të vitit 2019, ku humbën jetën 279 persona.
Sipas policisë, ish-majori gjeneral Suresh Sallay u ndalua në orët e para të mëngjesit në një periferi të kryeqytetit Colombo.
Hetuesit e akuzojnë për komplot dhe ndihmë në organizimin e sulmeve të koordinuara që shënjestruan tre kisha dhe tre hotele luksoze më 21 prill 2019, duke plagosur mbi 500 persona dhe duke goditur rëndë sektorin e turizmit.
Sallay, i cili u emërua në krye të Shërbimit Shtetëror të Inteligjencës pasi Gotabaya Rajapaksa mori presidencën në vitin 2019, i ka mohuar më herët akuzat për përfshirje.
Një raport i transmetuesit britanik Channel 4 në vitin 2023 pretendonte se ai kishte lidhje me autorët e sulmit dhe se kishte takuar disa prej tyre para shpërthimeve.
Hetimet mbi sulmet e Pashkëve vijojnë, ndërsa mbeten ende pikëpyetje mbi përgjegjësitë dhe paralajmërimet paraprake për sulmin.