March 4, 2026
1 min read

Arsim Bajrami tërheq kandidaturën për president

Pas mungesës së përkrahjes nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës për idenë e një kandidati konsensual, ai ka njoftuar tërheqjen nga gatishmëria për t’u vënë në dispozicion për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në reagimin e tij, theksoi se vetëofrimi kishte për qëllim tejkalimin e krizës politike dhe institucionale, pa motive personale, si dhe shprehu gatishmërinë për të kontribuar edhe më tej në proceset shtetndërtuese të vendit.

Njoftimi i Arsim Bajramit:

Të dashur miq,

Duke qenë se dy partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk e përkrahën konceptin e një kandidati konsensual për President të Republikës së Kosovës, KAM VENDOSUR TË TËRHEQ GATISHMËRINË TIME PËR T’U VËNË NË DISPOZICION SI KANDIDAT KONSENSUAL.

Vetëofrimi im kishte për qëllim ekskluzivisht kontributin në tejkalimin e krizës së thellë politike dhe institucionale, në të cilën vendi po hyn në vitin e dytë, duke vënë në shërbim përvojën time shtetndërtuese mbi tri dekada, në funksion të unitetit politik dhe qytetar, si dhe të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ky angazhim nuk ka pasur motive personale apo karriere, por ka qenë shprehje e përgjegjësisë qytetare dhe e gatishmërisë për t’i shërbyer Kosovës në një moment të ndjeshëm për demokracinë dhe stabilitetin institucional të saj.

Cilido President apo Presidente që do të zgjidhet, i dëshiroj sukses dhe shpreh gatishmërinë time që, në kapacitetin tim akademik dhe profesional, të kontribuoj në proceset shtetformuese dhe në forcimin e institucioneve demokratike të vendit.

Me këtë rast, shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për mijëra miq, kolegë, profesorë dhe studentë, për mesazhet e shumta të mbështetjes dhe solidaritetit qytetar që më kanë dërguar këto ditë.

Me respekt,

Arsim Bajrami.

Latest from Blog

Go toTop