Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, kanë lënë ambientet e Spitalit të Traumës vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën vetë ata.
Kur janë marrë në pyetje nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, ata kanë dhënë detaje të rëndësishme për atë çfarë ndodhi brenda sallës së gjyqit, pak çaste para dhe pas krimit.
Nga dëshmia e tyre mësohet se ngjarja ka ndodhur menjëherë pasi gjyqtari Kalaja ka shpallur vendimin gjyqësor, i cili nuk ishte në favor të familjes Shkambi. Në ato momente, Elvis Shkambi, i revoltuar, ka nxjerrë një armë që e mbante të fshehur nën xhaketë, e ka mbushur me fishekët që kishte në xhep dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit.
Sipas dëshmive, Kalaja tentoi të mbrohej, por hapësira e kufizuar në sallë dhe afërsia me autorin e bënë të pamundur shmangien e atentatit. Autori më pas tentoi të qëllonte edhe drejt Kurtajve, por nuk kishte më fishekë. Ai doli nga salla i qetë dhe, sipas burimeve, i dorëzoi armën një punonjësi të sigurisë pranë hyrjes së gjykatës.
“Ndonse Kalaja u përpoq të mbrohej ishte e pamundur edhe për shkak të ambinetit të vogël por edhe se Elvisi i shkoi shumë afër dhe e qëlloi duke thënë “vet e kërkove”. Më tej ai na u drejtua edhe ne por nuk kishte më plumba, pastaj doli i qetë dhe mesa pamë edhe atë zonjën që mbante shënim (sekretaren) iu drejtua po shyqyr arma s’kishte më plumba. Ne u përpoqëm të ndihmonin gjyqtarin por ai nuk përmendej. Për punë minutash erdhi policia dhe ambulanca na mori. Kur dolëm jashtë ishte plot me polica që e morën dhe armën ja kishte lënë një punonjësi aty te dera e pam kur dolëm, ishte një armë shumëne vogël. Na erdhi shumë keq për gjyqtarin, po kjo punë edhe pritej ata kanë vite që na kërcënojnë dhe ishin thuajse të bindur që do na nxirnin nga banesat tona. Do ju hedhim në rrugë na thoshin sa herë takoheshim qoftë dhe kur na binte rruga rastësisht. Na janë kthyer në tmerr”.
Gjatë dëshmisë, të plagosurit shprehën keqardhje për humbjen e jetës së gjyqtarit, duke theksuar se familja Shkambi kishte kohë që shfaqte sjellje kërcënuese dhe ishte e bindur se do ta fitonte çështjen me çdo kusht. Konflikti për pronën kishte degraduar në kërcënime të vazhdueshme, që tashmë kishin marrë përmasa tragjike, raporton JOQ.
Policia ka konfirmuar se autorit i është sekuestruar arma dhe ndaj tij po vijon hetimi për vrasje me paramendim, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe masat e sigurisë në ambientet e gjykatave pas ngjarjes.