October 1, 2025
1 min read

Avokati i Popullit thotë se i kanë hetuar 12 mijë raste

Avokati i Popullit organizon takim me partnerët ndërkombëtarë për nder të 25-vjetorit të themelimit të institucionit

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka organizuar një takim me partnerët ndërkombëtarë me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Qelaj tha se nuk ka qenë e lehtë të themelohej ky institucion për të drejtat e njeriut në Kosovë.

“Kemi pritur mbi 52 mijë qytetarë, kemi hetuar mbi 12 mijë raste dhe kemi dhënë rreth 2,300 rekomandime për autoritetet. Mbi 90 agjenci ndërkombëtare e kanë mbështetur institucionin tonë. Gjatë pesë viteve që kam ushtruar detyrën si Avokat i Popullit, kam kaluar nëpër shumë kriza; së fundmi, kriza më e madhe ka qenë ajo politike lidhur me konstituimin e Kuvendit,” u shpreh Qelaj.

Ai po ashtu vuri në dukje se ka vërejtur një tendencë për të sulmuar institucionet dhe organizatat joqeveritare.

“Ka pasur tendenca për të sulmuar edhe OJQ-të, si dhe raste si ai me RTK-në, ku është vërejtur përpjekje për censurë dhe mosdhënie page për punëtorët e mediumit,” shtoi ai.

Ndërkohë, Aivo Orav, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, u shpreh se beson që Avokati i Popullit do të vazhdojë të jetë një institucion i pastër dhe i besueshëm.

“Ne jemi të përkushtuar në promovimin e të drejtave të njeriut dhe nxitjen e reflektimit nga institucionet publike në Kosovë. Synimi ynë është që këto institucione të jenë më transparente, ashtu siç e theksoi edhe Avokati i Popullit,” deklaroi Orav.

“Gjatë viteve, BE-ja ka mbështetur institucionin e Avokatit të Popullit dhe besojmë se ky bashkëpunim i ndershëm dhe profesional do të vazhdojë në të ardhmen për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut,” përfundoi ai.

Latest from Blog

Go toTop