Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka takuar ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, George Robertson.
Bajrami tha se me Robertsonin folën për arritjet dhe sfidat me të cilat Kosova vazhdon të përballet, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
“Përkrahësin dhe mikun e madh të shqiptarëve e takova në kuadër të Takimit Parlamentar të Procesit të Berlinit, ku po përfaqësoj Kosovën nga pozita e Nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës”.
“Lord Robertson ka qenë Ministër i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s dhe më pas Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës. Ai vazhdon të jetë një mik i palëkundur i Kosovës, ashtu siç dikur ishte zëri i shqiptarëve kundër krimeve që shteti serb kryente gjatë luftës”, shkroi Bajrami.
Robertsoni ishte nderuar me “Medaljen e Artë të Lirisë” nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, teksa Bajrami shprehu mirënjohje për miqtë që sipas saj, qëndruan në anën e Kosovës dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë edhe sot.