March 24, 2026
3 mins read

BE promovon suksesin e grave në teknologji në Kosovë

Gratë që po formësojnë të ardhmen digjitale të Kosovës: Bashkimi Evropian promovon publikimin për historitë e suksesit të grave në teknologji.

Gra të suksesshme u mblodhën sërish për të ndarë përvojat e tyre në sektorin e teknologjisë dhe për të diskutuar sfidat me të cilat përballen në Kosovë. Përfaqësues nga sektori privat, komuniteti i teknologjisë, shoqëria civile dhe mediat u bënë bashkë në një aktivitet të organizuar në Europe House në Prishtinë, ku u prezantua publikimi “Nga vizioni në Inovacion: Rrugëtime frymëzuese të grave në teknologji”.

I mbështetur nga Bashkimi Evropian, ky publikim sjell nga afër historitë, përvojat dhe kontributin e grave që po kontribuojnë në zhvillimin e sektorit të teknologjisë në Kosovë.

Pjesëmarrëset theksuan përfshirjen gjithnjë në rritje të grave në këtë sektor, duke vënë në dukje të arritura konkrete dhe rolin e tyre në rritje në formësimin e të ardhmes digjitale të Kosovës.

Ngjarja u hap me fjalë rasti nga Eva Palatova, Ushtruese e Detyrës së Shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe Naile Dema, gazetare dhe bashkautore e publikimit, të cilat nënvizuan rëndësinë e promovimit të grave në teknologji dhe sigurimit të mundësive të barabarta për zhvillim profesional.

“Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në STEM nuk ka të bëjë vetëm me përfaqësimin — ajo ka të bëjë me progresin. Çdo shoqëri që dëshiron të inovojë dhe të rritet duhet të sigurojë që gratë të kenë qasje të barabartë në mundësi dhe pozita udhëheqëse. Kosova tashmë ofron një bazë inkurajuese. Gratë përbëjnë më shumë se 50 për qind të studentëve në fushat STEM dhe ICT — duke e vendosur Kosovën përpara shumë vendeve në rajon dhe madje edhe brenda Bashkimit Evropian. Megjithatë, ky sukses nuk reflektohet në tregun e punës,” tha Palatova.

Naile Dema, gazetare dhe bashkautore e publikimit, tha se qëllimi i këtij publikimi ka qenë të nxjerrë në pah arritjet e grave në sektorin e teknologjisë. “Publikimi synon t’i nxisë dhe t’i inkurajojë gratë dhe vajzat e reja që ta ndjekin këtë rrugë, sepse nuk është e pamundur nëse dikush para tyre e ka bërë dhe ka shkëlqyer në fusha të ndryshme të teknologjisë; mund ta bëjnë edhe vajzat e reja. Mbi të gjitha, publikimi synon të frymëzojë sa më shumë,” tha ajo.

Në kuadër të prezantimit të publikimit, u mbajt një panel diskutimi ku morën pjesë gra të suksesshme nga sektori i teknologjisë në Kosovë. Ato ndanë histori personale nga rrugëtimi i tyre profesional në këtë fushë dhe rëndësinë e krijimit të një mjedisi më gjithëpërfshirës në teknologji.

Teuta Sahatqija, ambasadore në Women in Tech Kosovo, theksoi rëndësinë e fuqizimit të grave në teknologji, ndërsa Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e STIKK, nënvizoi nevojën për mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për ta forcuar sektorin.

Jeta Zagragja, themeluese dhe CEO e AnchorzUp, theksoi rolin e gjeneratës së re të grave lidere në krijimin e vendeve të punës më gjithëpërfshirëse dhe në hapjen e mundësive të reja për gratë në menaxhim dhe inovacion.

Publikimi dokumenton rrugëtimin profesional dhe arritjet e grave që kontribuojnë në rritjen e sektorit të teknologjisë në Kosovë. Përmes këtyre historive, synohet ofrimi i modeleve frymëzuese dhe inkurajimi i më shumë vajzave dhe grave që ta shohin teknologjinë si një fushë ku mund të zhvillohen dhe të kenë ndikim real.

Përmes programeve arsimore, bursave, mentorimit dhe rrjeteve profesionale, Bashkimi Evropian në Kosovë mbështet zhvillimin e aftësive digjitale, inovacionin dhe përfshirjen e grave në sektorë me rritje të shpejtë, duke kontribuar në një zhvillim më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Latest from Blog

Go toTop