August 14, 2026
1 min read

Bedri Hamza shpërthen ndaj Kurtit: “Shteti nuk është Albin Kurti, konstituoni Kuvendin!”

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke i akuzuar për zvarritje të konstituimit të Kuvendit dhe shkelje të Kushtetutës.

Në një deklaratë para mediave në Kuvend, Hamza tha se afati për konstituimin e këtij institucioni nuk është përcaktuar nga partitë politike, por nga Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Jo një afat të vendosur nga PDK-ja, jo nga opozita, por nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, të cilën tashmë e kanë suspenduar”, deklaroi Hamza.

Sipas tij, Kosova tashmë ndodhet përballë një krize jo vetëm politike, por edhe kushtetuese e institucionale, pasi Kuvendi ende nuk është konstituuar dhe vendi nuk ka një qeveri të re me mandat.

Hamza ka akuzuar pushtetin se po funksionon në kundërshtim me rregullat kushtetuese dhe procedurat e Kuvendit.

“Shteti nuk është Albin Kurti. Shteti është Kushtetuta, janë ligjet, janë institucionet dhe kufijtë që askush nuk ka të drejtë t’i kalojë”, tha ai.

Kreu i PDK-së theksoi se Vetëvendosje ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por sipas tij, nuk mund ta ndalë procesin kushtetues.

Ai kritikoi edhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të Kuvendit, Avni Deharin, duke pretenduar se nuk mund ta interpretojë Kushtetutën në bazë të interesave partiake.

Hamza paralajmëroi se shkeljet e Kushtetutës nuk duhet të shndërrohen në precedent politik.

“Nuk ka mandat politik mbi Kushtetutën. Nuk ka shumicë mbi Kushtetutën. Nuk ka individ mbi Kushtetutën”, u shpreh ai.

Në fund, Hamza i bëri thirrje Vetëvendosjes që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe kthimin e institucioneve në atë që ai e quajti “binarët kushtetues”.

Latest from Blog

Go toTop