March 31, 2026
3 mins read

Buleshkaj: Mbi 90% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë

Afati për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publik po i afrohet fundit, ndërsa drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, bën të ditur se mbi 90% e zyrtarëve tashmë e kanë përmbushur këtë obligim, por paralajmëron gjoba për ata që nuk e respektojnë afatin.

Buleshkaj theksoi se afati i fundit për deklarimin e pasurisë përfundon sot në orën 23:59.

“Shumica dërrmuese e zyrtarëve, mbi 9 mijë, kanë deklaruar pasurinë tashmë. Janë mbi 90% e zyrtarëve që e kanë përfunduar këtë proces. I kemi mbi 400 të cilët ende nuk kanë filluar deklarimin e pasurisë dhe i kemi 530 të cilët janë në përfundim të deklarimit të pasurisë. Do të thotë jemi në 900-shin e fundit të deklarimit të pasurisë.

Po ashtu edhe afati i deklarimit të pasurisë është në fund. Kanë mbetur tashmë vetëm edhe 12-13 orë për ta deklaruar pasurinë sepse mbyllet si afat në mesnatë, do të thotë në orën 23:59:59 sekonda mbyllet sistemi. Dhe si i tillë, secili që vonohet edhe një minutë pas mesnate, kualifikohet për të pranuar një gjobë e cila është 30% e pagës mujore të atij zyrtari”, tha ai nw njw intervistw pwr EO, transmeton Klankosova.tv.

Buleshkaj,  kritikoi praktikën e lënies së deklarimit për momentet e fundit nga një pjesë e zyrtarëve.

“Edhe kësaj radhe, ngjashëm me radhët e kaluara, kemi numër goxha të madh të zyrtarëve që e kanë lënë deklarimin e pasurisë për momentet e fundit, e që nuk është një praktikë shumë e mirë. Sidomos për ata që mund të kenë diçka të paqartë në proces dhe kanë nevojë të konsultohen me Agjencinë. Ne kemi numër të vogël të zyrtarëve që janë të ngarkuar me punët e deklarimit të pasurisë dhe ata nuk do të kenë mundësi që të pranojnë 1000 telefonata potenciale përnjëherësh.

Që nga fillimi kemi bërë thirrje që secilin zyrtar ta fillojë më herët deklarimin e pasurisë dhe ta përfundojë shumë më herët. Për më tepër, sot kemi një arsye shtesë ta kryejmë më herët sepse është një lojë futbollistike shumë e rëndësishme ku shumica e qytetarëve të Kosovës janë të interesuar ta përcjellin. Ajo zgjat afërsisht deri në fund të afatit dhe ka shumë mundësi që t’ju kalojë afati zyrtarëve të caktuar dhe të kualifikohen, siç e përmenda më herët, për gjobë”, u shpreh ai.

Ai u bëri thirrje zyrtarëve që ta përfundojnë sa më shpejt këtë obligim dhe të kërkojnë ndihmë në rast nevoje.

Buleshkaj shpjegoi se gjobat për mosdeklarim janë të shkallëzuara në bazë të pagës së zyrtarëve.

“Ligji e ka paraparë që gjoba, e cila shqiptohet në mënyrë mandatore nga Agjencia, të jetë e shkallëzuar varësisht nga paga që pranon zyrtari. Në qoftë se një zyrtar e ka një pagë më të lartë, për shembull 1500 euro, gjoba për të është rreth 500 euro. Për dikë tjetër që e ka më të vogël, në qoftë se është po thojmë 1000 euro, gjoba do të jetë 300 euro. Do të thotë është e shkallëzuar varësisht, është në bazë të pagës, jo pagës mesatare, por pagës reale që zyrtari pranon në bazë mujore. Ata që kanë paga më të vogla, normal që kanë edhe gjobë më të vogël. Por, sidoqoftë, çfarëdo gjobë që pranohet, duke pasur parasysh që edhe në sektorin publik nuk ka pagë më të vogël se po besoj rreth 500 euro, gjoba minimale do të jetë mbi 150 euro, që është shumë goxha e madhe dhe substanciale për secilin qytetar të Kosovës, për më tepër në kohën kur edhe çmimet nuk janë duke u zbritur por janë duke u ngritur në mënyrë të vazhdueshme”, thotë drejtori.

Latest from Blog

Go toTop