Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se deri më tani rreth 10 për qind e zyrtarëve publikë kanë kryer deklarimin e pasurisë për vitin 2025.
Sipas tij, brenda periudhës së deklarimit pritet që mbi 10 mijë zyrtarë publikë ta përmbushin këtë obligim ligjor.
“Brenda kësaj periudhe pritet që mbi 10 mijë zyrtarë publikë ta kryejnë deklarimin e pasurisë. Kemi rreth 10 për qind. Para se të nisem për këtu mora numrin e fundit, kemi rreth 1050 zyrtarë që e kanë kryer. Nëse e krahasojmë me vitet e kaluara, ky numër nuk është i keq, sepse zakonisht ka një rritje të madhe pas 15 ditëshit të parë kur fillon deklarimi i pasurisë”, ka thënë Buleshkaj në emisionin “Five” në TV Dukagjini.
Ai theksoi se procesi deri më tani është duke shkuar mirë, megjithëse janë paraqitur disa sfida për shkak të funksionalizimit të një sistemi të ri për deklarimin e pasurisë.
“Ne jemi të kënaqur. Por kemi pasur disa sfida, sepse e kemi në funksion një sistem të ri, i cili edhe pse është në logjikën e njëjtë, duket ndryshe. Nganjëherë kemi pyetje për çështje të thjeshta të funksionimit të tij dhe kjo ndoshta i ka ngadalësuar subjektet deklaruese ta kryejnë këtë obligim më herët. Si proces është duke shkuar mirë”, ka shtuar ai.
Afati për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë përfundon më 31 mars.