Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, tha se ftesat e kryeministrit Kurti për takim me opozitën janë lojëra të tij për të fajësuar opozitën për moszgjedhjen e presidentit.
Në një bisedë për RTV21, deputetja Bytyqi tha se pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese ndaj dekretit të presidentes nuk mund të ketë asnjë veprim.
“Unë më shumë e shoh si një lojë të kryeministrit Kurti, sepse ai po dëshiron që ta çorientojë edhe konfliktin që ka me presidenten Osmani, sepse ne e dimë shumë mirë se Gjykata Kushtetuese, pa e dhënë një vendim deri më 31 mars, ne nuk kemi të drejtë të ndërmarrim asnjë veprim më tutje. Kjo po shihet si një lojë e Kurtit që, nëse shkojmë në zgjedhje, ta fajësojë opozitën për moszgjedhjen e presidentit. Kryeministri Kurti po dëshiron që ta marrë nën udhëheqje edhe postin e presidentit”, tha ajo.
Theksojmë se Kurti javën e kaluar paralajmëroi se do t’u nisë ftesa partive opozitare për takime, mirëpo nga opozita kanë thënë se për ftesën e Kurtit mund të diskutohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuse.