Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pasi Qeveria në detyrë ka miratuar buxhetin për vitin 2026. Cakolli ka thënë se me votimin e buxhetit nga Qeveria në detyrë dhe procedimin e tij në Kuvend, po merr formë një shkelje ligjore që duket si pjesë e një loje politike të menduar mirë.
Sipas tij, një qeveri në detyrë nuk ka më mandat politik as kompetencë ligjore për të propozuar buxhetin e një legjislature të re.
“Ajo nuk ka lidhje institucionale me Kuvendin aktual dhe asnjë formë përgjegjësie ndaj tij. Ky është thelbi i problemit”, ka shkruar Cakolli.
Pjesë nga postimi i Cakollit:
Sot jemi përballë një realiteti aq absurd sa edhe paradoksal:
– Buxheti i vitit të ardhshëm po i propozohet Kuvendit nga një deputet që vetëm pak ditë më parë u refuzua si kandidat për Kryeministër. I njëjti tash po vepron si Kryeministër në detyrë dhe po ia dërgon po atij Kuvendi projektbuxhetin për miratim.
– Shumica e (ish-)ministrave që morën pjesë në miratimin e këtij buxheti në Qeveri do të votojnë për të përsëri në Kuvend, veçse tash nga funksioni i deputetit. Pra, dy vota “pro” për të njëjtin projektligj, nga dy pozita të ndryshme – konflikt ky i pastër interesi.
– Projektbuxheti është përgatitur dhe propozuar nga (ish-)Ministri i Financave, të cilit Gjykata Supreme i kishte anuluar një udhëzim administrativ pikërisht për shkak të papajtueshmërisë së mandatit të tij. I njëjti tash vazhdon të njëjtën shkelje, por këtë herë për ligjin më të rëndësishëm të vitit – buxhetin e shtetit.
Prandaj, çështja nuk është te buxheti, por tek mënyra si po shkelet ligji në emër të tij. Duke e shitur këtë si një lajm të mirë për qytetarët – përmes rritjes së pagave, pensioneve, ndihmave sociale e beneficioneve të tjera – po tentohet të krijohet përshtypja se kush nuk e përkrah buxhetin, është kundër qytetarëve.
Pra, po krijohen kushtet e përzierjes së qëllimshme të ligjshmërisë me populizmin, për ta bërë të padukshme shkeljen.
E nëse ligji shkelet sot në emër të pagave e pensioneve, nesër do të mund të shkelet në emër të çdo gjëje tjetër.
 
             
                             
                             
                             
                            