Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka publikuar një mesazh në mbështetje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet prej gjashtë vitesh në paraburgim në Hagë.
Çitaku ka vlerësuar se rrugëtimi politik dhe personal i Thaçit nuk është përcaktuar nga privilegjet apo rrethanat e favorshme, por nga vendimet dhe përballjet e tij ndër vite.
Sipas saj, Thaçi ka qenë vazhdimisht përballë sfidave dhe ka zgjedhur të ndjekë një rrugë që, sipas saj, lidhej me synimin për një Kosovë të lirë dhe të orientuar drejt vlerave demokratike.
Ajo ka folur edhe për procesin ndaj Thaçit në Hagë, duke thënë se ish-presidenti e ka pranuar këtë përballje duke qenë i vetëdijshëm për pasojat që mund t’i sillte.
Çitaku ka theksuar se Thaçi, sipas saj, e ka vendosur kauzën politike dhe interesin e Kosovës mbi rehatinë dhe interesat personale.
Në fund të mesazhit, ajo ka përmendur edhe periudhën e luftës, duke thënë se Thaçi kishte mundur të humbte jetën atëherë, ndërsa sot ndodhet në paraburgim.
“Sot në burg. Nesër në liri, President”, ka shkruar Çitaku, duke shprehur bindjen për rikthimin e tij në liri.