Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi, i cili tha se viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 05:30, jemi njoftuar se në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë dy persona meshkuj, të moshës madhore, janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes (ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij)”, tha ai.
Ndërkaq, për të plagosurin, Elezi tha se është dërguar për trajtim mjekësor.
“Personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Njësitë përkatëse policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes. Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”, deklaroi ai.
Në lidhje me këtë rast, është deklaruar edhe Prokuroria e Gjakovës, përmes zëdhënësit Drin Domi, i cili deklaroi se i dyshuari është identifikuar dhe është në arrati.
Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë Prokurori i Shtetit dhe se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.
“Është inicuar rast për vepren penale “Vrasje e rëndë”. I dyshuari është identifikuar dhe është në arrati. Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, deklaroi Domi.
Klankosova.tv gjithashtu ka mësuar se personi i cili ka mbetur i vrarë është R.B, 38-vjeçar.