Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e ka mirëpritur heqjen e bllokadave nga kompanitë transportuese të vendeve të rajonit
Ky është vlerësuar si një hap pozitiv drejt normalizimit të qarkullimit të mallrave dhe funksionimit të zinxhirëve të furnizimit për bizneset kosovare, sipas DHTIK “pasi këto bllokada shkaktuan vonesa të konsiderueshme në import dhe eksport, rritje të kostove operative për kompanitë dhe pasiguri për sektorë të tërë ekonomikë në vend”.
“Shumë biznese janë detyruar të shtyjnë eksportet drejtë vendeve të ndryshme evropiane, derisa zgjatja e kësaj bllokade do të shkaktonte edhe mungesë produktesh dhe rritje çmimesh në Kosovë”.
DHTIK thekson se është e domosdoshme që institucionet e Kosovës bashkë me ato të rajonit dhe BE-ja, të angazhohen për zgjidhje afatgjata, të cilat do të ndikonin në parandalimin e përsëritjes së situatave të ngjashme në të ardhmen.
“Dhoma do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet dhe të bashkëpunojë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë për mbrojtjen e interesave të komunitetit të biznesit në Kosovë”, thuhet në një njoftim të kësaj dhome.