Një objekt është përfshirë nga zjarri në lagjen “Arbana” në Prizren, ku dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë mbi 2 milionë euro.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se nuk ka persona të lënduar.
“Më datë 18.11.2025, rreth orës 03:49, policia është njoftuar për një zjarr të shpërthyer në lagjen Arbana në Prizren. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka kontaktuar me dëshmitarin – rojet fizike – të cilët kanë deklaruar se kanë parë shpërthimin fillestar të zjarrit. Zjarri ka përfshirë një depo/punëtori për prodhimin e roletave. Njësitë e zjarrfikësve kanë reaguar dhe janë duke punuar për ta lokalizuar dhe shuar zjarrin”, tha ai.
Në vendngjarje kanë dalë mbikëqyrësi i hetimeve, hetimet e stacionit, hetimet regjionale dhe njësia e Forenzikës.
Është kontaktuar dhe njoftuar prokurori i shtetit, i cili me urdhër të tij ka iniciuar rastin ” Incident zjarri”.
Hetimet po zhvillohen nga Sektori Rajonal I Hetimeve në bashkërendim me Prokurorinë Themelore.