John Duncan, ish-këshilltar i Komandantit të Forcave të NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se situata në Kosovën e pasluftës së vitit 1999, ishte e ngjashme me atë të Francës pas Luftës së Dytë Botërore.
Këto komente, Duncan i bëri gjatë dëshmisë së tij si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, pasi që u pyet për krimet që pretendohen se janë bërë nga shqiptarët ndaj serbëve pas luftës, në një situatë kaotike që ishte atëherë.
“Nuk ishte fare befasuese situata, sepse të njëjtën situatë kemi pasur në Francë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Por, sigurisht në Francë, në Fund të Luftës së Dytë Botërore ne kemi pasur një administratë, pra kemi pasur forcë policore që ka pasur mundësi të përgjigjej”, pohoi ai.
Ndërkohë që në rastin e Kosovës, ai potencon se kishte vakum. “Nuk kishte administratë”.
“Sigurisht që situata ishte shumë herë më e vështirë dhe më e rëndë sesa ne kishim parë 60 ose më shumë vjet më përpara”, shtoi.
Pjesë nga dëshmia e Duncan:
Gama e krimeve të kryera nga popullata që po kthehej duket se ishte rritur, domethënë kishte krime, hakmarrje të kryera nga shqiptarët ndaj serbëve për shkak të gabimeve që kishin bërë gjatë luftës, por gjithashtu edhe para luftës. Megjithatë ka pasur edhe raste kur grupe oportuniste, ose persona të tillë përfitonin nga rasti për t’u hakmarrë ndaj gjërave personale, ose mund të ishin thjesht persona kriminalë të cilët përfitonin nga situata dhe amullia e krijuar për të bërë akte kriminale. A është e vërtetë kjo çfarë i kujtohet zotërit Duncan?
Po. Nuk ishte fare befasuese situata, sepse të njëjtën situatë kemi pasur në Francë në fund të luftës së Dytë Botërore. Por, sigurisht në Francë, në Fund të Luftës së Dytë Botërore ne kemi pasur një administratë, pra kemi pasur forcë policore që ka pasur mundësi të përgjigjej.
Ndërkohë që në rastin e Kosovës kishte vakum. Nuk kishte administratë. Kështu që kjo nuk është një situatë befasuese. Sigurisht që situata ishte shumë herë më e vështirë dhe më e rëndë sesa ne kishim parë 60 ose më shumë vjet më përpara.