Mirë me shëndet e të palëkundur nga besimi se drejtësia do të triumfojë.
Kështu i ka gjetur aktivisti Hektor Beqiri, ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Beqiri ka hedhur në Facebook një fotografi e status ku tregoi se u takua me Rexhep Selimin, i cili i ka treguar se gjithë të akuzuarit padrejtësisht në Hagë, janë mirë me shëndet e të fortë në shpresa e besim.
“Rexha iu dërgon të fala të gjithëve, me një mesazh të qartë dhe me besim të plotë: drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet. E vërteta do të triumfojë mbi çdo përpjekje për njollosje, ashtu siç triumfoi vullneti ynë për liri” shkroi ndër tjera Beqiri.
Statusi i plotë:
Ashtu siç e mbylla vitin 2025, edhe vitin 2026 po e nis aty ku zemra rreh më fort – në Hagë, te çlirimtarët tanë. Aty ku dhimbja dhe krenaria ecin krah për krah, e ku frymëzimi nuk shteron kurrë.
Sot isha te 10’shi i palëkundur. Rexha, si gjithmonë, i fortë në qëndrim, i qetë në shpirt dhe i pastër në ideal. Ai mbetet simbol i dinjitetit dhe besimit se e vërteta nuk mposhtet. Nga ai mora lajmin se edhe presidenti Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi janë mirë, të palëkundur, me mendje e zemër në Kosovën që e duan dhe e ndërtuan me sakrificë.
Teksa këtij procesi maratonik dhe të padrejtë po i afrohet fundit, shokët tanë vazhdojnë të qëndrojnë stoikë, duke mbrojtur luftën çlirimtare – amanetin më të shenjtë të historisë sonë, themelin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Rexha iu dërgon të fala të gjithëve, me një mesazh të qartë dhe me besim të plotë: drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet. E vërteta do të triumfojë mbi çdo përpjekje për njollosje, ashtu siç triumfoi vullneti ynë për liri.
Lavdi heronjve e martirëve. Mirënjohje përjetë atyre që nuk u përkulën kurrë. ✊🇽🇰 🇦🇱