Një shtetas i Kosovës, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, është ekstraduar sot nga Shqipëria në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë.
Bëhet fjalë për Anton Allakajn, i cili ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Allakaj ishte dënuar nga Gjykata e Pejës me 11 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa i kanë mbetur për t’i vuajtur edhe 9 vjet e 8 muaj të dënimit.
Ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitë relevante të Policisë dhe institucionet e drejtësisë.
Pas përfundimit të procedurave, i dënuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, për t’u dërguar më pas në qendrën korrektuese për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit.
Policia ka bërë të ditur se ekstradimi është realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.
/Demantim News/