Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me gjetjen e S.P., 30-vjeçarit nga Shqipëria i cili rezultonte i zhdukur që nga 21 janari.
30-vjeçari dyshohet se me veturën e tij “BMW” ishte aksidentuar rreth orës 05:00 të mëngjesit në 21 janarit në Jezerc, ku tek pas dy ditësh, i njëjti është gjetur në Budakovë të Suharekës, pasi një qytetar, B.Osmani kishte njoftuar policinë që ka hasur në një person.
“Në bashkëpunim me Forenzikën Rajonale, janë kontrolluar kamerat e sigurisë në zonën përreth. Po ashtu, janë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, në QKUK – Prishtinë, si dhe në disa ordinanca private, mirëpo nuk ishte raportuar asnjë person i lënduar. Paralelisht, janë zhvilluar kërkime intensive në terren. Lidhur me rastin, janë njoftuar dhe angazhuar edhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësia K-9 e Policisë së Kosovës, si dhe Brigada e Zjarrfikësve, të cilat janë vënë në kërkim të personit të zhdukur”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, sot rreth orës 15:30, një qytetar ka kontaktuar Qendrën e Komunikimit Rajonal në Ferizaj, duke njoftuar se kishte hasur një person në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të quajtur “Gurra e Kadisë”, dhe pas verifikimeve, është konstatuar se bëhej fjalë për personin, S.P, i cili ishte në kërkim dhe menjëherë është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim dhe ndihmë mjekësore.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, falënderon Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësinë K-9, pjesëtarët e policisë të rajonit të Ferizajt dhe qytetarët të angazhuar në këtë rast dhe në veçanti qytetarin B.Osmani., 54 vjeç, nga Ferizaj, për bashkëpunimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në gjetjen e personit të zhdukur”.