Britney Spears po kalon një periudhë të trazuar, ndërsa familja e saj shpreh shqetësim të thellë për gjendjen emocionale dhe sjelljen e këngëtares.
Sipas mediave të huaja, të afërmit e saj po diskutojnë mundësinë e një ndërhyrjeje përpara se situata të përkeqësohet më tej.
Në javët e fundit, Britney është filmuar disa herë në situata që kanë ngritur alarme tek njerëzit pranë saj.
Në njërin rast, ajo u pa duke drejtuar makinën në krahun e kundërt të rrugës pas një nate jashtë, ndërsa në një tjetër incident, në një restorant, mezi qëndronte në këmbë dhe hidhte gota në dysheme.
Këto skena, sipas burimeve pranë familjes, rikujtojnë ngjarjet e vitit 2007 – periudhën më të errët të karrierës së saj, kur ajo përjetoi një krizë publike, rroi kokën dhe humbi kujdestarinë e fëmijëve.
Pas krizës, Spears u vendos nën kujdestari ligjore që zgjati nga viti 2008 deri në vitin 2021.
Gjatë kësaj kohe, çdo aspekt i jetës së saj – nga karriera, tek pasuria dhe marrëdhëniet personale – ishte nën kontrollin e të tjerëve.
Tashmë, familja druhet se historia mund të përsëritet.
“Ka shumë shqetësime. Të gjithë duan më të mirën për të, por ajo po merr vendime të gabuara. Është e frikshme. Pyetja është si ta ndihmojmë pa e rikthyer në traumën e së kaluarës,” është shprehur një burim familjar për mediat.
Kohët e fundit, situatën e Spears e ka vënë edhe më shumë në qendër të vëmendjes publikimi i librit të ish-bashkëshortit të saj, Kevin Federline.
Në të, ai ka bërë një sërë pretendimesh lidhur me sjelljen e Britney-t dhe marrëdhënien e saj me fëmijët – Sean Preston dhe Jayden James.
Federline ka deklaruar se djemtë pothuajse nuk kanë më kontakt me nënën e tyre.
Megjithë shqetësimin e madh, burime nga familja Spears theksojnë se aktualisht nuk është planifikuar asnjë veprim konkret.
Ata janë të vetëdijshëm se këngëtarja po përballet me sfida serioze, por duan të shmangin çdo qasje që mund të rikthejë traumat e viteve të kujdestarisë.