January 15, 2026
2 mins read

Federata e Basketbollit dënon sulmin ndaj Bledar Gjeçajt, paralajmëron masa drastike

Federata e Basketbollit të Kosovës ka dënuar fuqishëm sulmin ndaj ndihmëstrajnerit të KB Bashkimi, Bledar Gjeqaj, i cili të mërkurën u godit me një mjet të fortë gjatë ndeshjes ndaj Vëllaznimit në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

FBK, përmes një komunikate për media tha se ky incident vjen vetëm pak ditë pas një rasti tjetër serioz dhune në basketbollin kosovar, për të cilin Federata kishte reaguar publikisht dhe kishte paralajmëruar zero tolerancë ndaj çdo forme dhune dhe sjelljeje të papranueshme në palestra.

“Për fat të keq, përsëritja e incidenteve në një periudhë kaq të shkurtër tregon se situata ka marrë përmasa alarmante dhe kërkon reagim të menjëhershëm dhe të vendosur institucional”, thuhet në komunikatë.

Sipas raportit zyrtar të delegatit të ndeshjes, gjatë çerekut të dytë, Federata bën të ditur se janë dëgjuar ofendime në kor nga tribuna në drejtim të klubit mysafir, për çka është dhënë vërejtje zyrtare publikut. Me përfundimin e pjesës së parë, një grup tifozësh të skuadrës vendase ka tentuar të sulmojë persona të pranishëm në tribunë, duke krijuar rrezik serioz për përshkallëzim të situatës.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë së Kosovës, është parandaluar një incident edhe më i rëndë.

Në të njëjtën kohë, në komunikatë thuhet se nga tribuna e ballkonit është hedhur një shishe plastike e mbushur me ujë, e cila ka goditur Gjeqajn në fytyrë, duke e rrëzuar atë në parket.

“Pas këtij akti të drejtpërdrejtë dhune dhe tentimit për sulm fizik, në koordinim me gjyqtarët e ndeshjes dhe Policinë e Kosovës, është marrë vendim për zbrazjen e palestrës nga publiku, me përjashtim të zonës VIP, me qëllim garantimin e sigurisë së të gjithë akterëve të ndeshjes”.

Federata e Basketbollit e Kosovës posedon pamjet filmike të incidentit, ndërsa Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona janë arrestuar për tentim sulmi, ndërsa personi që ka hedhur shishen është identifikuar dhe priten veprime të mëtejme ligjore ndaj tij.

Njëkohësisht, Federata ka njoftuar se klubi nikoqir do të ndëshkohet për organizim të dobët të ndeshjes, ndërsa ndaj tij do të merren masa të rënda disiplinore, në përputhje me aktet normative dhe rregulloret e FBK-së.

Federata e Basketbollit e Kosovës theksoi qartë se dhuna fizike, tentimet për sulm, fyerjet dhe çdo formë tjetër e sjelljes së papranueshme nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë. “Çdo dështim për të garantuar rendin dhe sigurinë në palestra do të trajtohet si shkelje e rëndë, me pasoja të drejtpërdrejta disiplinore dhe sportive”.

Federata po ashtu paralajmëroi se përsëritja e incidenteve të kësaj natyre do të sjellë masa edhe më drastike, përfshirë mbylljen e palestrave, zhvillimin e ndeshjeve pa publik, humbjen e ndeshjeve me rezultat zyrtar dhe referimin e rasteve tek institucionet kompetente.

“Basketbolli nuk do të tolerojë dhunën. Federata e Basketbollit e Kosovës do të veprojë me vendosmëri të plotë për të mbrojtur sigurinë, integritetin dhe dinjitetin e garave të saj”, thuhet në përfundim të komunikatës për media.

Latest from Blog

Go toTop