February 6, 2026
1 min read

Flet avokatja e Shqipron Hoxhajt: Gjykata sllovene konstatoi se nuk ka rrezik të arratisjes

I kërkuari për trafikim të drogës dhe të migrantëve, kosovari me shtetësi edhe të Sllovenisë, Shqipron Hoxhaj, që është vëllai i Dibran Hoxhajt, është kapur në janar të këtij viti nga policia kroate.

I njëjti ishte ekstraduar në Slloveni, meqë për të shteti slloven kishte lëshuar fletarrest të brendshëm, fletarrest ndërkombëtar dhe urdhër evropian për arrestim dhe dorëzim.

Por, Shqipron Hoxhaj, të cilin policia kroate ua dorëzoi kolegëve sllovenë të enjten e kaluar, e këta më pas e dërguan në paraburgim në qytetin Koper të Sllovenisë, është tashmë i lirë pas vetëm disa ditësh.

Lajmin për lirimin e tij e ka konfirmuar për Klankosova.tv avokatja Viktorija Badovinac Shvarc.

“Po, z. Shqipron Hoxhaj është liruar nga ndalimi me vendim të Gjykatës së Lartë në Koper (Republika e Sllovenisë)”, tha Shvarc në një përgjigje.

Baza ligjore e lirimit të Hoxhajt, sipas avokates, është se mbrojtja ka argumentuar se nuk ka asnjë rrezik për arratisjen e tij.

“Në procedurë, mbrojtja argumentoi se, pas gati më shumë se dhjetë vitesh nga vepra e dyshuar penale e tentim-zhvatjes, në të cilën tre bashkëveprues të tjerë të dyshuar janë shpallur të pafajshëm me aktgjykime të formës së prerë, nuk ekzistojnë më arsye për rrezik të arratisjes. Është theksuar se z. Hoxhaj është shtetas i Republikës së Sllovenisë, ka banim të përhershëm në Slloveni dhe ka lidhje të ngushta e të zgjeruara familjare në vend”.

“Pas rishikimit gjyqësor të masës së ndalimit, Gjykata e Lartë i mori parasysh këto rrethana dhe konstatoi se kushtet ligjore për vazhdimin e ndalimit nuk plotësoheshin më, dhe për këtë arsye urdhëroi lirimin e tij”, u shpreh avokatja Viktorija Badovinac Shvarc.

Ndërkaq, e njëjta potencoi se procedura penale ndaj Hoxhajt është në vazhdim, dhe pritet që shqyrtimi të vazhdojë që këtë muaj.

Latest from Blog

Go toTop