March 10, 2026
1 min read

“Fluturojnë” çmimet në Kosovë, inflacioni arrin 6%

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) ka shënuar rritje mesatare prej 6,0% në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin shkurt të vitit 2025. Ndërkohë, inflacioni mujor në shkurt 2026, krahasuar me janarin e po këtij viti, ishte 0,6%.

Sipas të dhënave të ASK-së, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi në disa grupe të konsumit. Rritja më e madhe është regjistruar te shërbimet në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5%), biletat e fluturimeve (39,0%), si dhe furnizimi me ujë dhe shërbime të ndryshme që lidhen me vendbanimin (33,4%).

Po ashtu, rritje të ndjeshme të çmimeve janë vërejtur edhe te lëndët djegëse të ngurta si drutë dhe peleti (16,8%), pemët (16,4%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (15,1%), si dhe mishi (14,7%). Shtrenjtim kanë pësuar edhe pushimet e organizuara (13,2%), shërbimet ambulantore (9,6%), shërbimet hoteliere (9,5%), kafeja, çaji dhe kakao (9,3%), si dhe disa kategori të tjera ushqimore dhe shërbimesh.

Nga ana tjetër, rënie e çmimeve është regjistruar vetëm te grupi i karburanteve dhe lubrifikantëve për pajisjet e transportit personal, të cilat janë ulur për 7,6%, duke ndikuar negativisht me -0,4 për qind në indeksin e përgjithshëm.

Sa i përket ndryshimit mujor, në shkurt 2026 krahasuar me janarin 2026, çmimet janë rritur mesatarisht për 0,6%.

Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i shërbimeve në lidhje me pajisjet personale të transportit (24,4%), perimeve (5,8%), pemëve (4,0%), pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (3,8 %); shërbime ambulantore (2,4 %); mish (2,4 %); shërbime hoteliere (1,9 %); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira  (1,9 %); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (1,7 %); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (1,5 %); pajisje shtëpiake (1,4 %); kafe, çaj dhe kakao (1,3 %); kujdes personal (1,3 %); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (1,2 %); bukë dhe drithëra (0,6 %) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,1 për qind në IHÇK.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar edhe ulje të çmimeve te biletat e fluturimeve (-18,2%), energjia elektrike (-4,3%), si dhe qumështi, djathi dhe vezët (-2,8%), të cilat kanë ndikuar me rreth -0,5 për qind në IHÇK.

Latest from Blog

Go toTop