December 26, 2025
1 min read

Forumi i Sektorit Privat, mesazh qeverisë së re: Dialogu me bizneset, bazë për zhvillim ekonomik

Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor, Forumi i Sektorit Privat në Kosovë u është drejtuar të gjitha subjekteve politike me thirrjen që zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve të mbeten prioritete qendrore në programet dhe angazhimet e ardhshme qeverisëse.

Si përfaqësues i komunitetit të biznesit vendor dhe ndërkombëtar, Forumi i Sektorit Privat në Kosovë thekson domosdoshmërinë e një dialogu të rregullt, të sinqertë dhe të institucionalizuar publiko-privat, si parakusht për hartimin dhe zbatimin e politikave të qëndrueshme dhe të zbatueshme ekonomike.

“Forumi bën thirrje për politika fiskale nxitëse, të parashikueshme dhe konkurruese, të cilat inkurajojnë investimet vendore dhe të huaja, nxisin rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës”.

“Po ashtu, theksohet nevoja urgjente për përmirësimin e planprogrameve arsimore dhe përafrimin e tyre me nevojat reale të tregut të punës, me qëllim të ngushtimit të hendekut ndërmjet sistemit arsimor dhe kërkesave të sektorit privat”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i sigurisë juridike dhe luftimi i korrupsionit, sipas njoftimit, mbeten kushte thelbësore për ndërtimin e besimit të investitorëve dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Forumi i Sektorit Privat në Kosovë tha se është i gatshëm për të kontribuar dhe bashkëpunuar me çdo qeveri të ardhshme, përmes Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, apo mekanizmave të tjerë të ngjashëm institucionalë që mund të themelohen në të ardhmen, në funksion të reformave strukturore, stabilitetit ekonomik dhe integrimit të Kosovës në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Latest from Blog

Go toTop