Estrada shqiptare është tronditur ditën e djeshme nga një incident, i cili duket se e ka çuar përplasjen virtuale të “diss-ave” në një konfrontim të rrezikshëm fizik.
Producenti i njohur, Shkumbin Nebihu (i njohur si Bini Nebihu ose Bini Diez), ka denoncuar se është sulmuar fizikisht nga reperi Don Xhoni, vëllai i tij dhe një grup tjetër njerëzish.
Nebihu ka dhënë detaje tronditëse nga ngjarja, duke thënë se sulmi ka ndodhur teksa ai ishte në makinë me familjen e tij. Ai ka pretenduar se grupi i Don Xhonit i ka bllokuar rrugën, i ka dëmtuar makinën dhe madje ka parë armë gjatë incidentit.
“Jam shokuar. Kjo që ka ndodhur sonte është më e keqja që kishte mundur një shqiptar me bë. Nuk e kemi as traditë e as zakon, sidomos kur është dikush me familje,” tha Nebihu duke konfirmuar se e ka raportuar rastin në polici.
E gjithë kjo ngjarje dyshohet se vjen si pasojë e një konflikti të hershëm në distancë mes reperësh. Bini Nebihu është menaxheri i reperit të ri, Nichi, i cili ka pasur një seri “diss-ash” dhe përplasjesh publike në distancë me Don Xhonin gjatë javëve të fundit.
Pas sulmit fizik ndaj menaxherit të tij, nuk ka vonuar as reagimi i vetë reperit Nichi.

Në një Story të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ai ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë dhe shumë të ashpër, që me gjasë i drejtohet Don Xhonit.
“Ke pas zgjidhje edhe prap ke vendos me bo gabimin ton ma t’madh n’jet,” shkruan Nichi në postimin e tij, duke sinjalizuar se ky kapitull i përplasjes nuk është mbyllur.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet një reagim nga pala e reperit Don Xhoni si dhe hetimet e mëtejshme nga organet e rendit.