January 6, 2026
2 mins read

Gazeta zvicerane “NZZ” zbulon takimet e fshehta të Bislimit me Gjuriqin në Soloturn

Bisedime të fshehta në qytetin e Soloturnit në Zvicër raportohet se janë zhvilluar rregullisht mes Kosovës dhe Serbisë. Gazeta e besueshme zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” – NZZ raportoi sot se në serinë e këtyre negociatave joformale kanë qenë prezent edhe zëvendëskryeministri kosovar Besnik Bislimi dhe kryediplomati serb Marko Gjuriq.

Besnik Bislimi dhe Marko Gjuriq kanë zhvilluar negociata sekrete në Soloturn të Zvicrës, sipas një raportimi bazuar në burime të gazetës zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” – NZZ.

Diskutimet joformale mes dy zyrtarëve shtetërorë kosovar dhe serb i ka organizuar shteti zviceran, shkruan NZZ në një artikull të botuar të martën.

Siç shkruan gazeta zvicerane, në këto takime ka marrë pjesë zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipit negociator, Besnik Bislimi, dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq.

“Qyteti i vogël i Solothurnit ofron më shumë diskrecion sesa Gjeneva ndërkombëtare. Në rrugicat e qytetit të vjetër, pas një darke, një politikan i lartë kosovar dhe një politikan i lartë serb janë parë duke ecur së bashku drejt hotelit. Sipas burimeve të informuara, skena është vërejtur në kuadër të bisedimeve konfidenciale që Zvicra i organizon rregullisht mes dy palëve në konflikt. Publikisht, në të dy anët dominojnë tonet e ashpra; deklaratat pajtuese rrallë sjellin vota. Por në Solothurn, përfaqësuesit e të dyja palëve kanë folur me njëri-tjetrin me një afërsi që ka befasuar edhe njohësit e konfliktit”, shkruan NZZ.

Sipas artikullit të NZZ, për vite me radhë, nga këto bisedime joformale nuk ka dalë asgjë në publik.

Fillimisht, për to raportoi “NZZ am Sonntag” në vitin 2022; në nëntorin e kaluar “Blick” shkroi për një takim me rreth një duzinë politikanësh, vijon shkrimi i gazetës zvicerane.

“Në Zvicër, megjithatë, deri tani nuk ishte bërë publike se nga të dyja palët marrin pjesë rregullisht edhe ministra. Sipas disa burimeve, ndër pjesëmarrës kanë qenë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi – përgjegjës për dialogun me Beogradin – si dhe ministri i Jashtëm i Serbisë dhe ish-ambasadori në SHBA, Marko Gjuriq”, thuhet në artikull.

Partnere në këtë proces është organizata amerikane joqeveritare Council for Inclusive Governance, shkruan NZZ.

Takimi i fundit u mbajt në fillim të dhjetorit. Marrin pjesë përfaqësues të pozitës, opozitës dhe shoqërisë civile, vijon shkrimi.

“Qëllimi është ndërtimi i besimit”, thuhet në artikull.

Zëvendëskryeministri Bislimi, njëherësh përgjegjës për dialog, asnjëherë nuk ka përmendur zhvillimin e negociatave joformale mes Kosovës dhe Serbisë jashtë kuadrit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel.

Latest from Blog

Go toTop