Detaje të reja kanë dalë lidhur me vrasjen tragjike që ndodhi mëngjesin e sotëm në Gjakovë, ku mbeti i vrarë 38-vjeçari Rasim Binakaj.
Për zhvillimet e fundit ka folur gazetari Faton Mehmeti në emisionin “Kosova Today”, duke bërë të ditur se hetimet e Policisë së Kosovës janë përqendruar në dy pista kryesore.
Sipas tij, pista e parë lidhet me prishje pazari në aktivitete të dyshuara kriminale, ndërsa pista e dytë ka të bëjë me mundësinë e përfshirjes së një gruaje në konflikt.
“Sipas informacioneve, ky ka qenë lokal i bizneseve ku janë zhvilluar aktivitete të ndryshme. Nuk dua të supozoj, por kryesisht flitet për çështje që lidhen me drogë dhe armë. Këto janë informacione që mbeten për t’u konfirmuar. Ideja dhe pista kryesore është prishja e pazareve, ndërsa një pistë tjetër që po e heton Policia është nëse në mes mund të jetë e përfshirë edhe një grua”, tha Mehmeti.