Kryediplomatja në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, ku së bashku me ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor po shkëmbehen pikëpamje mbi çështje me interes të përbashkët.
Në këtë forum, ajo theksoi se bashkëpunimi dhe siguria rajonale përbëjnë shtyllën themelore të politikës së jashtme të Kosovës dhe janë parakusht për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.
Gërvalla vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal të qëndrueshëm si një domosdoshmëri strategjike.
“Bashkëpunimi me Turqinë, sidomos në fushën e mbrojtjes, është strategjik, transparent dhe i orientuar drejt paqes; ai synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe kontributit në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse” tha ajo.
Derisa ka vlerësuar rolin e Platformës së Paqes për Ballkanin, si forum që dëshmon se sfidat e sigurisë duhet të adresohen përmes dialogut dhe diplomacisë, ajo theksoi se “Kosova e përcjell këtë mesazh në çdo forum rajonal dhe ndërkombëtar, duke u angazhuar për barazi, paqe dhe siguri të qëndrueshme”.
Atje, Gërvalla rikonfirmoi angazhimin e Kosovës për bashkëpunim gjithëpërfshirës, forcim të stabilitetit rajonal dhe avancim të dialogut si instrument strategjik për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.