January 20, 2026
1 min read

Gjenerata Z në Bangladesh pritet të përcaktojë kryeministrin e ardhshëm

Të rinjtë në Bangladesh, të cilët përbëjnë rreth 44 për qind të elektoratit, pritet të luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet kombëtare të 12 shkurtit, të parat pas rrëzimit nga pushteti të ish-kryeministres, Sheikh Hasina në vitin 2024.

Pas gati 15 vitesh qeverisjeje dhe zgjedhjeve të kontestuara, protestat masive të udhëhequra kryesisht nga studentë dhe të rinj çuan në largimin e Hasinës, pas një përplasjeje të dhunshme ku, sipas OKB-së, u vranë deri në 1.400 persona, shumica të rinj.

Rreth 56 milionë votues të moshës 18-37 vjeç do të votojnë këtë vit, shumë prej tyre për herë të parë në një proces që vlerësohet si realisht konkurrues. Bashkimi Evropian e ka cilësuar këtë proces si zgjedhjen më të madhe demokratike të vitit 2026.

Zgjedhjet po zhvillohen mes dy blloqeve kryesore politike, pasi partia e Hasinës është ndaluar nga aktiviteti politik. Ndërkohë, aleancat e reja, përfshirë ato të partive të dala nga protestat, kanë shkaktuar zhgënjim te një pjesë e të rinjve.

Analistët thonë se votuesit e rinj janë më pak të lidhur me ideologji dhe më shumë të fokusuar te siguria, liritë civile, mundësitë ekonomike dhe fundi i korrupsionit. Megjithatë, përfaqësimi i grave mbetet shumë i ulët, me vetëm rreth 4 për qind të kandidatëve gra.

Pavarësisht skepticizmit, pjesëmarrja e lartë e të rinjve shihet si shenjë e një ndryshimi të thellë politik, me pritshmëri që ata të ndikojnë drejtpërdrejt në formësimin e qeverisë së ardhshme të Bangladeshit.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop