Kosova do të përfitojë një donacion prej rreth 3 milionë eurosh nga Gjermania, i cili synon rritjen dhe avancimin e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Marrëveshja për projektin gjerman “Enable & Enhance Initiative” është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, dhe atasheu gjerman i mbrojtjes në Kosovë, nënkolonel Guido Altendorf.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, fondet do të përdoren për përmirësimin e kapaciteteve të FSK-së dhe për mbështetjen e saj në përmbushjen e misionit.
Ky projekt vjen si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Dugolli ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve.
Ai ka shprehur besimin se bashkëpunimi do të thellohet edhe më tej përmes projekteve të reja në të ardhmen.
Në takim kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Kosovë dhe pjesëtarë të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s.