“I riu vdes në një aksident komunikacioni”, “Aksident me fatalitet, vdesin 2 persona”.
Këta janë disa tituj të mediave, që kohëve të fundit po i shohim thuajse çdo ditë, pasi, aksidentet rrugore po shkojnë duke u shtuar.
Faktorët që po çojnë në këto aksidente janë të shumta, mirëpo, ato që po dominojnë, janë kryesisht pakujdesia e shoferëve dhe infrastruktura jo e mirë.
Mirëpo, pse janë rritur këto aksidente ditëve të fundit?
Disa nga arsyet, për Demantim News i ka treguar eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.
Ai ka thënë Demantimit që shumë aksidente po ndodhin pasi, shpejtësia është mbi normën e lejuar, sinjalistika nuk po respektohet dhe telefoni po përdoret gjatë vozitjes.
Po ashtu, Ahmeti theksoi se ka raste kur gjobat janë selektive.
“MPB dhe Policia shpesh akuzohen për mungesë të zbatimit konsekuent të ligjit. Ka raste kur gjobat janë selektive ose kontrollet të përqendruara vetëm në disa zona” tha ndër tjera ai.
Një pjesë të fajit për aksidentet të trafikut, Ahmeti tha se e ka edhe infrastruktura rrugore.
“Rrugët e amortizuara, mungesa e ndriçimit, mungesa e sinjalistikës horizontale/vertikale sipas standardeve, dhe projektimi jo gjithmonë sipas normave të sigurisë janë faktorë që kontribuojnë” shtoi eksperti për Demantim News.
Sipas Bekim Ahmetit, shoferët shqiptarë kanë mungesë të edukatës rrugore, sidomos shoferët e rinj, pasi, bëjnë sjellje të rrezikshme në rrugë, pa e kuptuar dëmnin që mund t’ua shkaktojnë të tjerëve apo vetës në komunikacion.