Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, pas reagimit të këtij të fundit ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Hoxha kishte shprehur shqetësim për deklaratat e Vuçiqit, duke theksuar se ndërhyrja në rrjedhën e një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet vetëm si çështje e brendshme e një shteti.
Pas këtij reagimi, Gjuriq akuzoi Shqipërinë për, siç pretendon ai, “qëndrim të njëanshëm” dhe tentativë për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet që lidhen me komunitetin serb në Kosovë.
Kryediplomati serb pretendoi se Shqipëria nuk ka bazë territoriale apo hidrologjike për të ndërhyrë në mënyrën se si Serbia menaxhon burimet ujore në territorin e saj.
Gjuriq shkoi më tej duke përmendur edhe termin “Shqipëri e Madhe”, ndërsa deklaratat e tij dhe ato paraprake të Vuçiqit kanë nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri.
Debati rreth lumit Ibër është intensifikuar pas deklaratave të Vuçiqit për mundësinë e shqyrtimit të ndryshimit të rrjedhës së tij.
/Demantim News/