March 13, 2026
6 mins read

Gjykata Supreme lë në paraburgim Ramadan Morinën, i akuzuar për krime lufte në Burim të Malishevës

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit Ramadan Morina kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit që kanë të bëjnë me vazhdimin e masës së paraburgimit.

Gjykatat e instancave më të ulëta i kishin vazhduar Morinës masën e paraburgimit për dy muaj për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – krime lufte kundër popullsisë civile.

Ramadan Morina po akuzohet se më 31 mars 1999, në fshatin Burim të komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

Gjykata Themelore e Prishtinës me aktvendimin e datës 30.12.2025, të pandehurit i kishte vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muajve.

Në procedurën ankimore Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 09.01.2026 e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Ramadan Morina, ashtu që kishte vërtetuar aktvendimin e Themelores.

Kundër aktvendimeve të dy gjykatave, kërkesë për mbrojtje të ligjmërisë pranë Gjykatës Supreme kishte ushtruar mbrojtësi i të pandehurit Ramadan Morina, avokati Arianit Koci.

Mbrojtësi i Morinës kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë e kishte parashtruar pranë kësaj Gjykate nën pretendimet se ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal, duke propozuar që kërkesën e tij ta aprovojë si të bazuar, aktvendimet e Themelores dhe të Apelit t’i anulojë, ashtu që i mbrojturi i tij të lirohet nga masa e paraburgimit dhe kjo masë t’i zëvendësohet me një masë më të butë.

Avokati në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë kishte thënë se arsyetimet e aktvendimeve të Themelores dhe të Apelit janë të pakuptueshme dhe kundërthënës me brendinë e tyre, nuk përfshijnë arsyetim si dhe nuk janë paraqitur arsye lidhur me faktet vendimtare.

Avokati Koci më tej në kërkesë ka theksuar se gjykatat e instancave më të ulëta nuk kanë ofruar as arsyetim të plotë dhe të individualizuar mbi veprimet konkrete që i atribuohen të mbrojturit të tij.

Po ashtu mbrojtësi i të akuzuarit ka thënë se zgjatja automatike e paraburgimit është në kundërshtim me garancitë e përcaktuara me nenin 5 par.3 të KRDNj, dhe sipas nenit 29 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës mund të bëhet vetëm atëherë kur ka shkaqe të bazuara qartë se personi ka kryer vepër penale.

Ndërsa, Gjykata Supreme ka vlerësuar se ekziston baza ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarit për shkak të rrezikut të ikjes së tij, ashtu që duke marrë parasysh rrethanat e rastit, duke përfshirë faktin se i pandehuri ka ndryshuar disa adresa të banimit, ka vendbanim të përhershëm jashtë Kosovës dhe se posedon dy shtetësi.

Kjo gjë, sipas Supremes, mund të lehtësojë shmangien nga ndjekja penale, veçanërisht duke pasur parasysh mungesën e bashkëpunimit juridik ndërmjet Kosovës dhe vendit tjetër.

Gjykata Supreme gjithashtu ka konstatuar se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes për shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që masa e paraburgimit është caktuar me vendim të gjykatës kompetente dhe në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa procedura penale është ende në fazën fillestare.

Ky vendim nga Gjykata Supreme është marrë nga kolegji i përbërë nga: Mejreme Memaj (kryetare e kolegjit), Bashkim Hyseni dhe Afrim Shala (anëtarë).

Kujtojmë se në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 30.12.2025 i pandehuri Ramadan Morina nuk e kishte pranuar fajësinë.

“Nuk e pranoj fajësinë se prej 1998 deri më 1999 fare nuk kam qenë në Kosovë, kam dëshmi”- kishte deklaruar ai.

DOSJA E PROKURORISË

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të datës 17.02.2025, Ramadan Morina po akuzohet se ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime fizike dhe psiqike, arrestime e vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë të civilëve shqiptarë.

Prokuroria po pretendon se Morina këto veprime i ka kryer në vitin 1998 – 1999 në kohën e luftës në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari këto veprime i ka marrë në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, duke rënë ndesh me konventa ndërkombëtare.

Tutje në aktakuzë të Prokurorisë Speciale thuhet se Morina ka marrë pjesë në aksione ku të vrarë kanë mbetur mbi 30 civilë shqiptarë. Vrasje këto që Prokuroria i përmend të kenë ndodhur në fshatin Burim të komunës së Malishevës.

Vrasja ishte bërë në një aksion të armatosur, me tanke e autoblinda dhe forca këmbësorie e kishin rrethuar zonën ku ishin të strehuar mbi 1 mijë qyetarë që ishin dëbuar nga disa fshatra të Malishevës.

Një qytetar ishte shtrirë si i vdekur me qëllim që t’i shpëtojë këtij aksioni të forcave serbe, i cili edhe është dëshmitar në këtë proces, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Me këto veprime i akuzuari Ramadan Morina akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Ramadan Morina ishte arrestuar në mëngjesin e datës 12.08.2025 në Prishtinë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale – krime lufte kundër popullatës civile.

Ndërsa seanca dëgjimore ndaj tij ishte mbajtur më 14.08.2025 në Gjykatën e Prishtinës.

Gjykimet për krimet e luftës

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazreviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës./Kallxo.com

Latest from Blog

Go toTop