Tri kompani të transportit nga Fushë Kosova kanë paralajmëruar pezullimin e përkohshëm të shërbimit në katër linja që lidhin disa fshatra me Prishtinën, duke nisur nga 19 gushti 2026.
Pezullimi përfshin linjat Grabovc–Prishtinë–Grabovc, Harilaq–Prishtinë–Harilaq, Hencë–Prishtinë–Hencë dhe Miradi e Epërme–Prishtinë–Miradi e Epërme.
Kompanitë kanë bërë të ditur se vendimi vjen pas vështirësive të mëdha financiare, rritjes së çmimit të karburantit dhe shtimit të shpenzimeve operative, të cilat sipas tyre e kanë bërë të pamundur vazhdimin e shërbimit në këto linja.
Ato kanë theksuar se banorët e këtyre lokaliteteve varen çdo ditë nga transporti publik për të udhëtuar drejt Prishtinës dhe për t’u kthyer në vendbanimet e tyre.
Para marrjes së këtij vendimi, kompanitë kanë thënë se u janë drejtuar institucioneve përkatëse me kërkesë për gjetjen e një zgjidhjeje. Sipas tyre, ndërhyrja institucionale është e nevojshme që transporti të mund të rikthehet sa më shpejt në funksion.