March 5, 2026
3 mins read

Hamza përmend gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së: Lufta e UÇK’së ishte një luftë e drejtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në 28 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës foli për sakrificën e familjes Jashari në marsin e vitit 1998. Ai gjithashtu përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.

“Sot jemi mbledhur në këtë sallë, jo vetëm për të kujtuar një ngjarje historike, por për të nderuar një moment që i dha kuptim vetë historisë sonë – Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz. Kanë kaluar 28 vjet nga ato tri ditë marsi që ndryshuan përgjithmonë fatin e Kosovës. Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, një familje shqiptare vendosi të qëndrojë në pragun e shtëpisë së vet përballë një ushtrie të tërë pushtuese. Por ato tri ditë nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë sonë. Ato janë një mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë. Sepse ka momente kur historia nuk shkruhet nga numrat, nga fuqia ushtarake apo nga kalkulimet politike. Historia shkruhet nga vendimet morale të njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen.Dhe në ato tri ditë marsi në Prekaz, historia e Kosovës mori pikërisht këtë formë. Prekazi nuk ishte vetëm një fshat. Ai u bë altar i lirisë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i ndërgjegjes dhe qëndresës së një populli të tërë“, theksoi ai.

Hamza tha se me 5, 6 dhe 7 mars të 1998-ës, u dëshmua e vërteta e madhe e historisë njerëzore, se liria nuk është vetëm një idel politik, por është vendim për të mos u dorëzuar.

“Mbi të gjitha, historia e asaj që ndodhi në mars të vitit 1998 duhet kujtuar gjithmonë në tërësinë e saj. Forcat serbe nuk e kishin sulmuar Prekazin dhe familjen Jashari për herë të parë. Brenda pak viteve, këto forca ishin mësyar tri herë kundër Jasharëve. Dy herët e para u zbrapsën, sepse në atë kohë nuk qëndronte thjesht një familje; aty qëndronte një vullnet i pathyeshëm për çlirim. Herën e tretë, në mars të vitit 1998, regjimi serb vendosi të përdorë gjithë makinerinë e tij ushtarake kundër familjes Jashari. Rrethimi zgjati tri ditë. Tri ditë rezistencë, tri ditë heroizëm, tri ditë kur burra, gra dhe fëmijë luftuan për lirinë e Kosovës“, tha Hamza.

“Në ato tri ditë u dëshmua një e vërtetë e madhe e historisë njerëzore: Liria nuk është vetëm një ideal politik, liria është vendim. Vendim për të mos u dorëzuar, vendim për të qëndruar, një vendim për të sakrifikuar gjithçka kur dinjiteti i një populli është në rrezik. Në atë betejë triditore ranë 59 dëshmorë. Por nga ky gjak u ngrit një forcë që nuk mund të ndalej më: vullneti i një populli për liri, i mishëruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pa familjen Jashari, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk do të kishte marrë atë frymë të madhe që mbizotëroi një popull të tërë.”

Ai ka theksuar se teksa në Hagë po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, e qartë është fakti se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, dhe luftë për liri e dinjitet.

“Dhe po tentohet rishkrimi i historisë sonë, kur në Hagë po gjykohen bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, presidenti Thaçi, kryetari Veseli, baca Jakup Krasniqi ne duhet të jemi të qartë për një gjë: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë. Ishte luftë për liri, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. Kjo nuk është vetëm bindja jonë politike apo emocionale; kjo është e vërteta historike. Dhe pikërisht për këtë arsye, sakrifica e familjes Jashari dhe e çdo dëshmori të Kosovës mbetet e drejtë, e pastër dhe e panegociueshme në ndërgjegjen e historisë sonë“, thotë tutje Hamza.

Latest from Blog

Go toTop