Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pretenduar se në qytetin e Junikut po shkojnë për të votuar shumë persona që nuk janë banorë të asaj komune.
Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se për secilin person AAK-ja do të bëjë padi.
“Të dhënat tona nga shtabi në Junik tregojnë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune.”
“Kujtojmë se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit, dhe çdo rast i tillë do t’i përcillet institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë, për hetim dhe veprim. Do të bëjmë padi për secilin person veç e veç,” ka thënë Haradinaj.
I njëjti në fund i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe në përputhje me ligjin.