Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike që iu përgjigjën ftesës së saj.
Ajo ka vlerësuar gatishmërinë e pjesëmarrësve për të kërkuar zgjidhje për situatën politike, duke theksuar se, pavarësisht dallimeve, dialogu mbetet i domosdoshëm.
Haxhiu ka thënë se për zgjedhjen e presidentit duhet një marrëveshje më e gjerë politike dhe se kjo çështje nuk duhet të lihet për momentin e fundit.
Sipas saj, në takim është theksuar gjithashtu se vendit nuk i nevojiten zgjedhje të reja dhe se të gjitha subjektet duhet të angazhohen për një president konsensual.
Haxhiu ka kritikuar partitë që refuzojnë apo bojkotojnë takimet, duke thënë se mospajtimi është i pranueshëm, por shmangia e dialogut nuk sjell zgjidhje.
Në fund, ajo ka bërë thirrje për përgjegjësi të përbashkët, dialog dhe një marrëveshje që, siç ka thënë, do t’i shërbente interesit të vendit.