Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar rreth themelimit të institucioneve të reja, duke e cilësuar të gjithë procesin si jokushtetues.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka paralajmëruar se legjitimiteti i Kuvendit mund të kontestohet.
“Kuvendi nuk është themeluar brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve. Kurdo që konstituohet, ai mund të kontestohet”, ka shkruar Hoti.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për funksionimin e Qeverisë në detyrë, duke argumentuar se kryeministri në detyrë dhe disa ministra, pasi janë betuar si deputetë, nuk kanë të drejtë të vazhdojnë ushtrimin e funksioneve ekzekutive.
Sipas Hotit, shkaktar i gjithë kësaj është Albin Kurti.
Ky është postimi i plotë i tij:
I gjithë procesi i themelimit të institucioneve që duhet të dalin nga zgjedhjet parlamentare është në terren jokushtetues.
1. Kuvendi nuk është themeluar brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve. Kurdo që konstituohet, ai mund të kontestohet.
2. Funksionimi i Qeverisë në detyrë është jokushtetues pasi Kryeministri në detyrë dhe disa ministra janë betuar si deputetë, dhe sipas ligjit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione në qeveri. Vendimet e kësaj qeverie janë qartësisht të kontestueshme. Për këtë ka një aktgjykim të Gjykatës Supreme.
3. Nga betimi si deputete, ish Kryetarja e Kuvendit nuk mund të ushtrojë detyrën e Presidentes. Ajo nuk është më Kryetare e Kuvendit, pasi ajo legjislaturë është mbyllur me dhënien e betimit të 120 deputetëve të ri.
Shkaktari është Kurti dhe të gjithë ata që e pasojnë. Vetëm dikush që kundër vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje kaosi dhe jokushtetutshmërie.