Këngëtarja Adelina Thaçi i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e së dielës.
E ftuar në emisionin “Kosova Today”, Thaçi ka shpjeguar arsyet pse ka vendosur të jetë pjesë e kësaj partie politike, duke theksuar përputhjen e vlerave dhe vizionit politik.
“Me shumë dëshirë, kënaqësi dhe vendosmëri kam vendosur të jem pjesë e LDK-së, sepse idetë e mia përputhen më së miri me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryetarin Lumir Abdixhiku. Fillimisht, jemi një parti e paqes dhe e bashkimit, me mesazhe të qarta dhe program të fortë. Vetëm aty e shoh veten”, deklaroi ajo.
Thaçi theksoi se një tjetër arsye e rëndësishme për këtë angazhim është ekipi brenda partisë, të cilin e vlerëson si thelbësor për suksesin politik.
“E dyta, shumë e rëndësishme është ekipa. Secili është më i miri në fushën e vet dhe kjo ka rëndësi, sepse proceset e mëdha nuk mund të udhëhiqen vetëm, por duhet të funksionojnë si një orkestër”, tha Thaçi.