Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 720.5 milionë eurosh gjatë korrikut 2026, ndërsa eksportet kanë arritur në vetëm 104.8 milionë euro, duke e çuar deficitin tregtar në 615.7 milionë euro.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, importet janë rritur për 9.1 për qind, nga 660.2 në 720.5 milionë euro. Në të njëjtën periudhë, eksportet kanë shënuar rritje prej 25 për qind, nga 83.8 në 104.8 milionë euro.
Megjithatë, rritja e eksporteve nuk ka mjaftuar për të ngushtuar hendekun tregtar. Deficiti është rritur nga 576.4 milionë euro në korrik 2025 në 615.7 milionë euro këtë vit, apo 6.8 për qind më shumë.
Eksportet kanë mbuluar vetëm 14.5 për qind të importeve, që do të thotë se për çdo 100 euro mallra të importuara, Kosova ka eksportuar rreth 14.5 euro.
Nga vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s janë importuar 328.2 milionë euro mallra, me Turqinë dhe Kinën si ndër burimet kryesore. Nga Bashkimi Evropian janë importuar 303.4 milionë euro, ndërsa importet nga CEFTA kanë arritur në 88.8 milionë euro.
Në strukturën e importeve dominojnë produktet minerale, ushqimet dhe pijet, makineritë e pajisjet, mjetet e transportit dhe metalet bazë.
Ndërsa në eksporte, pjesën më të madhe e zënë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, të pasuara nga ushqimet e përgatitura, plastika dhe goma dhe produktet minerale.