Karim Benzema është përplasur me një gazetar gjatë një interviste të zjarrtë pas debutimit të tij të shkëlqyer te klubi i ri, Al Hilal, ku shënoi një hat-trick.
Ish-sulmuesi i Real Madridit, 38 vjeç, kishte refuzuar ofertën për zgjatje të kontratës nga ish-klubi i tij, Al Ittihad, për t’u transferuar të hënën te një nga rivalët më të mëdhenj, Al Hilal. Ky transferim shkaktoi tronditje në të gjithë Superligën e Arabisë Saudite, ndërsa ESPN raportoi se ylli i Al Nassr, Cristiano Ronaldo, u përpoq ta bllokonte kalimin e Benzemas, duke e konsideruar të padrejtë.
Pretendohet se Ronaldo besonte se transferimi “tregonte se Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite (PIF) donte t’i hapte rrugën Al Hilal për të fituar titullin” me nënshkrimin e ish-shokut të tij të skuadrës te Real Madridi.
Benzema nuk ngurroi ta thumbonte Ronaldon pas transferimit, duke thënë: “Al Hilal është Real Madridi i Azisë”.
Ronaldo refuzoi të luante në ndeshjen e Al Nassr kundër Al Riyadh të hënën dhe raportohet se mund të bojkotojë edhe ndeshjen e radhës kundër ish-klubit të Benzemas, Al Ittihad, të premten.
Pavarësisht këtyre veprimeve, Benzema e përfundoi transferimin te Al Hilal të hënën dhe nisi aventurën e tij në mënyrën perfekte, duke shënuar një hat-trick në fitoren 6-0 ndaj Al Akhdoud në transfertë, të enjten në mbrëmje.
Pas ndeshjes, Benzema u përplas me një gazetar që e pyeti vazhdimisht për arsyet e largimit nga Al Ittihad dhe bashkimin me Al Hilal.
“A doni të flisni për ndeshjen apo doni të flisni për atë? Flisni për ndeshjen”, tha fituesi i Topit të Artë 2022, duke shtuar: “Ishte një paraqitje e bukur. Ndihem mirë. Me këta lojtarë në këtë skuadër, ne luajmë dhe luftojmë së bashku”.
Gazetari pyeti më pas: “A do të thotë kjo se ata [lojtarët e Al Hilal] ju ndihmuan më shumë se lojtarët e Al Ittihad?”
Benzema u përgjigj menjëherë: “Nuk thashë këtë. Thashë që ndihem mirë, është ndryshe”.
Më tej, kur u pyet: “Pse nuk u përshëndetët me lojtarët e Al Ittihad?”, Benzema, dukshëm i irrituar, u përgjigj: “Çfarë? Ju e dini? Ju e dini? Pyetini ata”.
Video duke klikuar KËTU