Kosova u trondit gjatë javës që lamë pas.
Në shtatë ditë, pesë persona humbën jetën si pasojë e të shtënave me armë, ndërsa rastet sa shkonin e rëndoheshin.
Në Gjakovë, një burrë vrau ish-mikun e tij, për të vazhduar me rastin tragjik të Klinës, ku vëllai dyshohet se mbyti vëllanë. E të dielën, një 31-vjeçare privoi nga jeta të dashurin e saj dhe gruan e axhës, ku më pas vdiq dhe vet pas plagëve të vetshkaktuara
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, në emisionin “Ora Shtatë” tha se kontrollet nga autoritetet e sigurisë duhet të rriten, pasi sipas tij, shumë qytetarë po mbajnë armë pa leje.
Nga ana tjetër, sociologu Jeton Brajshori, në Klan Kosova tha se tashmë po jetojmë në një kohë kur ka humbur besimi në institucionet përkatëse.
“Thjesht, sot jetojmë në një kohë të antivlerave, jetojmë në një kohë ku ka shumë armë pa leje, jetojmë në një kohë ku ka humb besimi në institucionet përkatëse, ndoshta edhe për shkak të neglizhencës së tyre në rastet e mëhershme”, tha Brajshori.
Sipas tij, vrasja ka filluar të bëhet normalitet, teksa tha se jeta e njeriut sikur ka humbur vlerën.