March 16, 2026
1 min read

“Javën tjetër nxjerrim pamjet e Gjestit”, reagon pronari i ONIMA-s, thotë se ka paditur edhe Yllin e Taynën

Pas arrestimit të këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, pronari i kompanisë Onima, Erkand Shabani, ka bërë reagimin e tij të parë të drejtpërdrejtë rreth incidentit në zyrat e tij.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, Shabani sqaroi arsyet pse kishte zgjedhur të heshte deri më tani, duke theksuar se u detyrua të flasë për shkak të një “fushate të gjerë mashtrimesh publike”.

Në deklaratën e tij, drejtuesi i Onima e cilësoi ngjarjen si një vepër të qartë kriminale të kryer nga Gjesti brenda zyrave të kompanisë. Sipas Shabanit, ky veprim ka shkaktuar jo vetëm dëme materiale, por edhe trauma te punonjësit. “Kjo vepër ka lënë pas vetes pasoja materiale për kompaninë dhe pasoja të rënda psikologjike për stafin, i cili është terrorizuar nën tytën e revoles,” shkroi ai.

Më tej, Shabani nënvizoi faktin se vetë autori i ngjarjes e ka pranuar fajësinë e tij para organeve të drejtësisë. Ai u shpreh se Gjesti ka kërkuar falje ndaj palëve të dëmtuara gjatë seancës së fundit gjyqësore dhe, pikërisht për faktin se çështja tashmë ndodhet në duart e gjykatës, Shabani kishte preferuar fillimisht të mos prononcohej publikisht.

Siç shprehet Shabani, për të shuar çdo spekulim dhe për të zbardhur të vërtetën e plotë, ai ka njoftuar se javën e ardhshme do të mbajë një konferencë për shtyp.

Gjatë kësaj konference, Shabani ka paralajmëruar se do të shpalosen videot e atyre që ai i quan “sulme tronditëse” të Gjestit. Po ashtu, Shabani shprehet se do të bëhen publike raportet financiare për të dëshmuar se kompania nuk i detyrohet asnjë cent artistit, duke iu përgjigjur kështu pretendimeve që mund të kenë qarkulluar.

Shabani është deklaruar i vendosur, siç shprehet “për të nxjerrë zbuluar ata persona që kanë shpresuar të përfitojnë financiarisht nga ONIMA përmes metodave kriminale”. Sipas tij, publikimi i këtyre materialeve është i domosdoshëm jo vetëm për të informuar saktë opinionin publik, por edhe për t’i shërbyer thellimit të hetimeve lidhur me veprimtarinë e artistit dhe menaxhmentit të tij.

Detajet për datën dhe vendin e konferencës pritet të njoftohen në ditët në vijim.

Aktualisht, Gjesti ndodhet në paraburgim prej 30-ditësh pas këtij incidenti.

Latest from Blog

Go toTop