Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka deklaruar se aktualisht nuk ka një qëndrim zyrtar për një emër specifik për president.
Ajo bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj nuk kanë dalë ende me një kandidat, duke shtuar se emri do të bëhet publik vetëm pasi të përmbyllen konsultimet me deputetët dhe grupet e tjera parlamentare, me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të garantuar stabilitet institucional.
“Po, aktualisht nuk kemi një emër konkret, për të cilin e dimë se ka mbështetje të plotë, për të vazhduar me votimin, gjegjësisht sigurimin e 80 votave të nevojshme për votimin e presidentit. Por natyrisht kryeministri Kurti do të vazhdojë diskutimet me të gjithë ata që mund të ndikojnë në këtë proces, në radhë të parë pra me kryetarët e partive, me deputetët, me grupet, në mënyrë që të sigurohemi që deri me datën 5, kur ne duhet të kemi të zgjedhur presidentin ose presidenten e vendit, të kemi së paku 80 deputetë të cilët do të qëndrojnë në sallë, e më e mira do të ishte që edhe të marrin pjesë në votim, e të përfundohet me votimin e kandidatit i cili do të ishte përfaqësues i të gjitha subjekteve që marrin pjesë në votim”, deklaroi Nagavci.
Ajo shtoi ndër të tjera se ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021 kur ishte përmendur publikisht kandidatura për presidente, në zgjedhjet e vitit 2025 nuk është paraqitur paraprakisht një emër për këtë post, duke theksuar se tani nevojitet diskutim dhe konsensus më i gjerë politik për ta përmbyllur procesin brenda afatit.
“Tash përgjithësisht ju e dini që në zgjedhjet e vitit 2021, kur ne kemi garuar në atë kohë në aleancë domethënë bashkë me Partinë Guxo edhe me Alternativën, ne edhe gjatë gjithë fushatës zgjedhore e kemi përmendur që kandidojmë, gjegjësisht kërkojmë besimin e qytetarëve për kryetarin tonë të Lëvizjes, zotin Albin Kurti për kryeministër, ndërkohë që për zonjën Osmani për presidente. E kemi përmendur disa herë edhe gjatë fushatës dhe ky nuk është rasti tani në zgjedhjet e fundit të vitit 2025. Në zgjedhje kemi garuar me kërkesën e votës për kryeministrin Kurti dhe për Lëvizjen Vetëvendosje bashkë me partnerët e saj për qeverisje. Që nënkupton që për zgjedhjen e presidentit, presidentes, duhet të ketë diskutime që besoj që do të jenë shumë më intensive në këto ditë të mbetura, që ta përmbyllim suksesshëm edhe zgjedhjen e presidentit, presidentes deri me 4 mars, siç janë afatet kushtetuese. Dhe konsideroj që është obligim i të gjithë neve, deputetëve, që të gjejmë një konsensus sepse tashmë kemi pasur shumë zgjedhje. Në vitin e kaluar kishim katër palë zgjedhje. Institucionet për një kohë të gjatë kanë vepruar, kanë punuar si institucione me qeverisje në detyrë dhe është tejet e rëndësishme që stabiliteti i cili u rikthye edhe me votimin e qeverisë edhe me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, së fundmi edhe me ligjin për buxhetin, të vazhdojë me punë me mandat të plotë në interes dhe shërbim të qytetarëve. E kjo është e mundur vetëm pasi të votohet edhe presidenti, presidentja”, tha Nagavci.