February 25, 2026
2 mins read

“Ke porosi nga shefi me e goditë Enverin”, Hasani thotë se lufta ndaj tij në Senat është me porosi nga Kurti e Nagavci

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, më 20 shkurt 2026, ka miratuar vendimin e Këshillit të Etikës, ku i shqiptohet vërejtje me shkrim profesorit Enver Hasani si dhe i mohohet që të përfshihet në mentorim në të gjitha nivelet e studimit për një vit.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori Enver Hasani, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se ky vendim i Senatit është një për përpjekje trevjeçare e Rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu.

“Prej si e ka nisur mandatin, prej ditës së parë të Senatit deri sot ai në agjendë e ka pas çështjen time. Të them të drejtën mua po t’më kishte dhënë mirënjohje si ish-rektor ose ish-kryetar i Gjykatës diçka unë  do isha shqetësuar me atë fakt, por kjo siç ka vepruar do të thotë Senati,  përkatësisht zotri Harullahu, sepse Senati ka qenë i detyruar,  se kurdo që s’ka qenë ai prezent për shkak të konfliktit të interesit Senati tre katër vota ka pas kundër meje. Kjo është hera e tretë, këtë herë ka ndenjur aty dhe i ka detyruar me fjalim që është nën çdo nivel për njerëzor jo vetëm institucional”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, Hajrullahu është në misionin e tij, të cili ai bashkë me tre- katër kandidatë të tjerë, e kanë marrë nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti ka kërkuar nga ata, ka kërkuar lojalitet për me u marrë me disa gjëra që ai ka pas në agjendë politike dhe kanë pasur të bëjnë kryesisht me pronat e Universitetit të Prishtinës, që janë disa kolegë prej juridikut gjithandej janë atje dhe ky ka pranuar domethënë të tjerët që kanë pas një dinjitet. Atë rol e ka marrë e Arbeni edhe në moment ka ndryshuar ajo më 27 nëntor, dy funksionarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në atë kohë më kanë thënë që i ka thirrë ministrja e atëhershme e MASHT-it, Arbërie Nagavci edhe ka thënë ‘ke porosi nga shefi me goditë Enverin’”, ka shtuar ai.

Hasani shtoi se sjelljet e njëjta, rektori Hajrullahu i kishte përsëritur edhe në mbledhjen para kësaj të fundit, kur Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, kishte thënë se ai kishte konflikt interesi të merret me rastet e Hasanit.

“Tha se ka krijuar një distancë higjienike Agjencia mes meje dhe Enverit. Do të thotë ajo i nuk e di se çka flet, jo është doktrinë e nazizmit që është aplikuar ndaj hebrenjve. Distanca higjenike është terminologji absolutisht naziste”, është shprehur tutje profesori Hasani.

Latest from Blog

Presidenti, PDK nuk merr pjesë në seancë

Pas pak pritet që të mbahet seanca për Presidentin. Burime të Klankosova.tv bëjnë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e sontme. Bazuar në këtë
Go toTop