Ekipet e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës janë angazhuar që nga orët e vona të mbrëmjes së 20 tetorit në një operacion kërkimi në zonën malore pranë kufirit Kosovë-Shqipëri.
Sipas njoftimit të ShKShMK-së në Facebook, operacioni po zhvillohet me kërkesë të institucioneve të Kosovës, atyre të Shqipërisë dhe familjarëve, për gjetjen e një qytetari me shtetësi shqiptare, i cili është raportuar i zhdukur që nga dita e djeshme, derisa po mblidhte gështenja në një mal.
Skuadrat janë angazhuar si në terren ashtu edhe nga ajri, përmes përdorimit të dronëve, ndërsa kërkimet po vazhdojnë në disa lokacione të dyshuara.
Institucioni ka njoftuar se operacioni është ende në zhvillim dhe se publiku do të informohet me kohë për çdo zhvillim të ri.