Kompania për furnizim me energji elektrike KESCO i ka dorëzuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) një kërkesë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike me 21.4 për qind për vitin 2026.
Sipas vendimit, ZRrE pritet ta analizojë këtë kërkesë dhe më pas të vendosë nëse do ta miratojë apo refuzojë atë.
Sipas KESCO-s, kërkesa është paraqitur pas vlerësimit të kostove të pritshme, duke theksuar se kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për të hyrat maksimale të lejuara për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.
Në arsyetimin e saj, kompania thekson se është vërejtur rritje e konsumit nga konsumatorët që vazhdojnë të plotësojnë kushtet për furnizim me shërbim universal.
Kjo kërkesë reflekton nevojën për të mbuluar kostot e domosdoshme për:
furnizimin e energjisë elektrike për konsumatorët në shërbim universal,
përballimin e ndikimit të importit si komponent me kosto më të lartë,
rritjen e sigurisë së furnizimit në periudhat e sezonit dimëror që konsiderohen me rrezik të lartë,
mbulimin e kostove operative të nevojshme për ofrimin e shërbimeve cilësore,
mbulimin e kostove të bartshme që lidhen me rrjetin dhe obligimet përkatëse,
trajtimin e diferencave të krijuara nga rrethanat reale të vitit paraprak, në përputhje me parimet rregulative FSHU vlerëson se reflektimi real i këtyre kostove në procesin tarifor është i domosdoshëm për të garantuar që shërbimi universal të mbetet funksional, i qëndrueshëm dhe i aftë për të përmbushur obligimet ligjore ndaj konsumatorëve.
Nëse këto kosto nuk pasqyrohen në mënyrë adekuate,rrezikohet ndjeshëm furnizimi i qëndrueshëm.
Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se nënvlerësimi i kostove krijon vështirësi operacionale dhe përsëritja e një qasjeje të tillë do të rrezikonte të prodhonte sfida të ngjashme edhe në të ardhmen.
FSHU mbetet e gatshme të bashkëpunojë me ZRRE-në gjatë gjithë procesit tarifor, duke ofruar të gjitha sqarimet, analizat dhe dokumentacionin e nevojshëm për vlerësim të drejtë dhe transparent.